12 Mar Social Media apo Vartësia nga Bota Virtuale!
Ne jetojmë në shekullin e zhvillimeve teknologjike dhe të rrjeteve sociale. Tashmë gjithkush nga mosha 15 – 60 vjeç ka një llogari në një platformë sociale. Nuk ka rëndësi nëse është Facebook, Instagram, LinkedIn, Snapchat, Twitter apo diçka tjetër, të gjithë jemi të varur në një mënyrë ose tjetrën nga lajmet dhe postimet në rrjetet sociale.
Problemi fillon në momentin kur hap faqen tënde dhe “scroll” lajmet dhe postimet e ndryshme. Mund të jetë një lajm me përmbajtje politike ku miqtë e tu virtual kanë komentuar duke shprehur argumentet e tyre, ose mund të jetë edhe një lajm i dikujt, i cili është i famshëm në rrethin tënd shoqëror, por jo aq i famshëm sa për të bërë diçka konkrete. Me pak fjalë, kohën tënde të vyer po e harxhon me disa lajme, të cilat janë totalisht pa vlerë për ty, dhe nuk të ndihmojnë në asnjë lloj mënyre për asgjë. Je i përfshirë në diçka që nuk e mban mend si filloi, apo sa e rëndësishme mund të jetë për ty. Cili ishte argumenti për të cilin po debatonim, pse po i ndjek këta njerëz të “famshëm”? Ky është realiteti i një përdoruesi në social media në 2018-ën!
Realiteti për shumë njerëz është se kanë kaluar në një fazë ku merren me argumente dhe harxhojnë kohën për një realitet që nuk ka asnjë lloj impakti real në jetën e përditshme. Kjo ka të bëjë edhe më shumë me faktin se shumë njerëz duan që postimet e tyre të kenë sa më shumë likes (pëlqime), komente, etj. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, kjo dukuri përkthehet në: edhe postimi im duhet të jetë sa më interesant, përndryshe nuk do ketë likes dhe komente!
“Social Media” është e dizenjuar që të tërheqë vëmendjen e përdoruesit. Për këtë arsye edhe Facebook ka ndryshuar algoritmin, me qëllim për të ofruar sa më pak kontent nga media dhe biznesi, dhe sa më shumë kontent nga përdoruesit e thjeshtë. Facebook synon: Encourage meaningful interactions between people! Domethënien e kësaj fraze në kuptimin e plotë të saj, mund ta dijë vetëm Zuckerberg. Qëllimi është që platforma Facebook të kthehet në një hapësirë të ndërsjelltë dhe të frytshme mes përdoruesve.
Se sa është arritur ky qëllim, kjo vlen për t’u parë!
Përdorimi i tepërt i mediave sociale për mendimin tim, dhe jo vetëm, nuk është shumë i dobishëm. Unë kam shumë miq të mi, të cilët i kanë mbyllur llogaritë e tyre në këto platforma, që krijojnë varësi. Për shkak të punës, shumica jonë nuk mund t’i largohet këtij realiteti, duke përfshirë edhe autorin e shkrimit.
Është një humbje kohe kur përdorimi i këtyre platformave ndikon jo për mirë në jetën e përditshme, kur si pasojë e disa lajmeve të rreme ndihesh keq ose i mërzitur. Realiteti që paraqitet nuk është i vërtetë, sidomos kur e humb kohën me njerëz të “famshëm”, të cilët janë bërë të tillë prej diçkaje që nuk ka asnjë lidhje me botën reale. Koha ime është shumë më e vlefshme se shpërdorimi i saj me çështje dhe njerëz “fake” e negativë.
Për ata që duan një rrugë të mesme, unë kam një sugjerim. Hiqni nga lista juaj personat dhe subjektet që sjellin negativitet, tërhiqni rreth vetes pozitivitetin virtual.