21 May Viti i “restart-it”, mban numrin 2020!
Si çdo fillim viti, të gjithë e fillojnë me urimet më të mira dhe me pozitivitet. Java e pare e Janarit, shërben për t’u përshëndetur e uruar njëri – tjetrin për një vit të mbarë dhe me suksese në jetën private e profesionale. Ajo që dominon ditëve të para të vitit është padyshim permbledhja e asaj që lamë pas dhe objektivat e së ardhmes.
Sigurisht që para së gjithash ne i premtojmë vetes: shëndet më të mirë, përmbushje të pasioneve dhe rigjetjen e një hobi që kemi lënë pas dore, më shumë aktivitet fizik, apo pasione që nuk i arritëm vitin e kaluar.
Janë pikërisht këto të fundit që më frymëzuan të shkruaj këtë tekst, për një fillim sa më të mbarë për vitin 2020. As unë nuk bëj përjashtim nga ky fillim viti i mbushur me optimizëm dhe pozitivitet dhe këto ndjenja nuk kanë lidhje me gjendjen aktuale të vendit tonë, por është më shumë një “restart” që të gjithë ua urojnë të afërmve, miqve dhe vetes.
Të gjithë kanë nevojë për disa pika lidhëse, detaje gjatë jetës dhe pikërisht një çast i tillë është i duhur për nisjen e vitit. Është më shumë se sa një etapë që kalohet, është fillimi i një etape tjetër.
Këtë vit, edhe unë kam disa premtime për veten time, gjithmonë në rrafshin personal. Shpenzimi i kohës me familjen dhe njerëzit e dashur, larg njerëzve toksikë, me mllef dhe negativitet. Njerëz të tillë kanë vetinë të marrin gjithë energjinë pozitive dhe ta kthejnë përmbys atë dhe si pasojë, shmangia prej tyre për mua është prioritet prej kohësh.
Gjej diçka për të mos ndenjur në vend, gjej një hobi, fillo një sport, lexo një libër apo udhëto brenda ose jashtë vendit. Kontakti me natyrën tashmë njihet si recetë mjekësore në disa vende të zhvilluara perëndimore.
Personalisht, këtë vit kam një premtim që ia kam bërë vetes!
Premtimi është relativisht i thjeshtë për t’u mbajtur. Dua që disa herë në javë, mundësisht çdo ditë jave rreth orës 7:00 të mëngjesit të dal me biçikletën time që kam blerë para disa muajsh. Biçikletën e kam patur pasion sidomos gjatë viteve te studimit dhe jeteses në Holandë, dhe për shumë kohë më ka munguar. Tashmë dal gjatë fundjavës, dhe pedalimi më jep një kënaqësi dhe energji jo vetëm gjatë ushtrimit por edhe më vonë gjatë ditës.
I vetmi afat kohor relativisht i lirë për mua është ai i orës 7:00, sepse gjatë orës pasardhëse jam i zënë duke çuar fëmijët në shkollë. Pas shkollës, normalisht shkoj në punë.
Ky është premtimi im i ri që i kam bërë vetes. Premtime me dieta ushqimore, me ndryshime rrënjësore të stilit të jetës për mua janë shumë të vështira dhe mbesin në letër. Vazhdimi i ushtrimeve fizike, që në moshën 8-vjeçare kur kam qenë në klasë sportive, më është bërë pjesë e jetës dhe nuk mund ta ndërpres, frutet e te cilit i kam ndjere gjate gjithe jetes time, pikerisht sipas shprehjes “Trup i shendetshem ne nje mendje te shendetshme”
Ushqimi sa më i shëndetshëm së bashku me aktivitet fizik janë shtylla kryesore në mirëqënien e çdokujt. Shtoji dhe një aktivitet mendor, leximi apo diçka tjetër dhe besoj se keni ndërthurjen perfekte për 2020.
Një vit i mbarë për të gjithë!
“Life is like riding a bicycle. To keep your balance, you must keep moving.” ― Albert Einstein.
Erion Isufi
CEO/ Founder
Landmark Communications and Technologies
Co-Founder Móveo Albania Technology