Duke i kthyer kurrizin teknologjisë!

Duke i kthyer kurrizin teknologjisë!

Kriza dhe skandali i Facebook ka shtuar përpjekjen e shumë njerëzve për t‘i kthyer kurrizin teknologjisë dhe gjithë pasojave që vijnë bashkë me të.

Teknologjia është kthyer në burimin kryesor te jetës së përditshme për shumicën e banorëve në moshë madhore në pjesën më të madhe të botës. Lajmet, informacioni, shërbimet, blerjet, komunikimi dhe afërsisht çdo gjë tjetër në jetën e përditshme bëhet nëpërmjet teknologjisë. Bota ka ndryshuar shumë në këto 10-15 vjet, dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Teknologjia e ka bërë çdo gjë shumë të lehtë dhe të aksesueshme. Kjo i ka ndryshuar për mirë jetën qindra milionë njerëzve.

Bashkë me anën positive, ky zhvillim kaq i shpejtë, ka sjellë edhe disa fenomene negative për shoqërinë. Ka një thënie për teknologjinë e informacionit; 15 vite më parë njerëzit përdornin internetin dhe teknologjinë për të kërkuar realitetin, ndërsa tani përdorin internetin dhe teknologjinë për t’i shpëtuar realitetit. Si në çdo thënie, kjo ka të vërtetën e saj dhe të pavërtetat e saj.

Faktet janë dy dhe të pamohueshme; së pari teknologjia i ka ndryshuar dhe përmirësuar jetën miliarda njerëzve në planetin tonë, por gjithashtu ka dhe shumë efekte negative për një pjesë të mirë të njerëzve, të cilët e përdorin teknologjinë më shumë se sa nevojitet. Secili duhet të reflektojë, duke përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi, për të gjetur ballancën e duhur mes përdorimit të teknologjisë dhe realitetit. Për mendimin tim pjesa e jetës së përditshme ku futen familja, puna, shoqëria, hobby, duhet të jenë primare. Nuk është e lehtë, sidomos për familjet e reja!

Unë personalisht nuk jam për t’i kthyer kurrizin teknologjisë, sepse praktikisht është e pamundur. Një miku im më thotë që ka vetëm një zgjidhje nëse do që t’i shpëtosh kësaj bote ku jetojmë; të shkosh të jetosh në pyll, në një shtëpi pa internet, pa televizor dhe pa telefon! Përndryshe nuk i shpëton dot, dhe për këtë ka të drejtë.

Teknologjia duhet t’i shërbejë përmirësimit të jetës për çdo person që e përdor atë. Duhet të ketë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme, por jo rol thelbësor. Sidomos në familje dhe midis miqsh, teknologjia nuk duhet të ketë një rol aspak vendimtar. Facebook, Instagram, Internet, YouTube etj., nuk duhen kurrsesi t’i zënë vendin përvojave dhe kohës në familje, lojrave brenda dhe jashtë shtëpisë, dalje me miq dhe shokë, hobby që mund të kenë njerëzit, dhe përvojat, të cilat të forcojnë karakterin dhe personalitetin. Teknologjia duhet të të shërbejë ty, dhe jo e kundërta.