Industria e marketingut po jep shenja pozitive gjatë vitit 2021

Industria e marketingut po jep shenja pozitive gjatë vitit 2021

 

 

Përshëndetje! 

Ashtu sikurse biseduam, po realizoj një shkrim mbi sfidat e marketingut në periudhën e pandemisë. 

Gjeni më poshtë përgjigjet e pyetjeve.

 

  1. Tashmë një vit nga nisja e pandemisë, si kanë qenë buxhetet e kompanive për marketingun. Si paraqiten në vitin 2021?

 

2020 ishte një vit sfidues për të gjitha industritë dhe tregjet botërore, dhe sigurisht agjencitë e marketingut u përballën me situata të panjohura më parë.

Fillimi i vitit 2020 ishte shumë shpresëdhënës dhe synonte zhvillime të mëdha si nga pikëpamja e projekteve dhe buxheteve të planifikuara. Ajo që pasoi ishte pa dyshim një çast i vështirë, sepse si ne, ashtu edhe klientët që marrin shërbimet tona, u gjendën në një “stand by” të obliguar, situatë e cila prodhoi një pezullim ose më mirë të themi një formulë të re shpërndarjeje të buxheteve, duke iu përshtatur situatës së re.

Kur them një formulë e re shpërndarjeje, i referohem planifikimit të buxheteve me fokus kryesisht mediat sociale dhe marketingut online.  

Komunikimi tradicional u prek ndjeshëm dhe humbje të konsiderueshme pati fusha e organizimit të eventeve, ku për shkak të masave anti-covid, nuk u ndërprenë totalisht aktivitetet promocionale me karakter social.

Por industria e marketingut dhe komunikimit është gjithmonë një sektor shumë i gjallë dhe krijues, e si i tillë, që në tremujorin e parë të këtij viti, po jep shenjat e një vale pozitive që me siguri do të jetë pararojë e investimeve dhe e hovit të padiskutueshëm që ekonomia në tërësi do të ketë në përfundim të kësaj situate.

 

  1. Cilat kanale kanë rezultuar si të preferuar për të përçuar informacionin promocional tek konsumatori, po të kemi parasysh televizionin, radio,n shtypin e shkruar, outdoor, rrjetet sociale?

Pandemia, më saktësisht mungesa e lëvizjes dhe e ndërveprimit në terren, i dha një shtysë të madhe komunikimit dhe marketingut në kanalet digjitale. Fokus të veçantë patën rrjetet sociale të cilat nuk u kufizuan vetëm në komunikime standarde, por u trajtuan si kanale të mirëfillta dhe u transformuan në hapësira biznesi duke u përshtatur me çdo kërkesë të tregut. Sigurisht fuqia e televizionit mbeti e lartë, pavarësisht se sot kemi një tkurrje të investimeve në mediat tradicionale nga marketuesit e mëdhenj.

 

  1. Si ka ndryshuar marketingu në kohën e pandemisë, lidhur kjo me mesazhet që përcillen?

Komunikimi dhe mesazhet e pandemisë nxorrën në pah le të themi anën më humane dhe më emocionale të brandeve që operojnë në treg. Mesazhet tregtare apo ato agresive që lidhen me blerjen e produkteve dhe ofertave ia lanë vendin mesazheve që përcillnin masat për parandalim të efekteve të pandemisë. Konsumatorët dëgjuan shpesh se brandet janë këtu për t’i mbështetur emocionalisht (jo rrallë edhe me dhurata promocionale) dëgjuan se është e rëndësishme të kujdesemi dhe të jemi bashkë duke dhënë edhe shpresë se çdo gjë do të na bëjë më të fortë e shpresëdhënës për të ardhmen. Kjo natyrë e markave dhe e komunikimit pati ndikim pozitiv si tek konsumatorët ashtu edhe tek kompanitë, të cilat fituan sadopak terren në nivelin emocional të marrëdhënies me klientin.

 

  1. Cilët sektorë kanë qenë më aktive në reklama dhe cilët më pak në raport me sjelljen e tyre tradicionale?

Telekomunikacioni vazhdon të kryesojë tregun me komunikim frekuent duke u shtrirë në të gjitha kanalet e komunikimit. Bankat po ashtu vijojnë të përdorin të gjitha kanalet e komunikimit. Për të dy sektorët, përdorimi i rrjeteve sociale ka një rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme.

 

  1. Si e shihni pjesën e marketingut digjital, a ka marrë në vendin tonë vëmendjen që ka marrë globalisht në këto kohë pandemie?

Siç e përmenda edhe pak më herët, digjitalizimi e ka revolucionarizuar botën e marketingut në këto 15 vitet e fundit. E vërteta është se, deri një muaj para shpërthimit të pandemisë në vendin tonë, klientët nuk e kishin në fokusin e tyre komunikimin online, shitjen apo siç njihet ndryshe “e-commerce”, dhe në momentin që u përballën me situatën ku bota ndaloi dhe e vetmja dritare komunikimi me tregun u bë rrjeti, kërkesat drejtuar agjencive u rritën, duke rikonfirmuar atë që ne i kishim sugjeruar biznesit në vend prej vitesh. Investoni në marketingun digjital, këtë këshillë ja drejtoj të gjitha bizneseve, e ardhmja është në rrjet.

Sigurisht situata tashmë edhe në Shqipëri paraqitet krejt ndryshe. Nëse një projekt, ofertë apo mesazh nuk përcillet edhe online, e nuk promovohet në kanalet digjitale, mund të konsiderohet thuajse një thirrje anonime.

 

  1. Cilat janë sfidat që po hasin agjencitë e marketingut në këtë kohë pandemie? Flasim për koordinimet me klientët, distancimi social, kufizimet e vendosura, si dhe produktiviteti në punë?

Fillimi i pandemisë solli paqartësi për të gjithë ne, si për stafin e agjencisë, ashtu edhe për klientët. Mungesa e takimeve të drejtpërdrejta dhe distancimet sociale krijuan një hendek në komunikim i cili u kuptua shpejt dhe në kohë, për të mos ndikuar në marrëdhëniet e përditshme.

Sot takimet bëhen më të shpeshta, pasi koordinimi në platformat online ofron fleksibilitet dhe them se produktiviteti është maksimal, dëshira është e madhe për përmirësim të vazhdueshëm.

 

 

Botuar ne revisten Monitor