Konferenca ‘Think Tech’​ e cila fokusohet tërësisht te teknologjia, si fusha e së ardhmes

Konferenca ‘Think Tech’​ e cila fokusohet tërësisht te teknologjia, si fusha e së ardhmes

Think Tech

 Konferenca e Risive Teknologjike

Për herë të parë, Landmark Communications dhe Technologies prezanton një konferencë e cila fokusohet tërësisht te teknologjia, si fusha e së ardhmes. Jemi përpjekur që të sjellim një aktivitet ndryshe nga eventet apo konferencat që trajtojnë të njëjtën temë, duke servirur sfera dhe mundësi të reja në fushën e teknologjisë. Nëse kjo do të jetë risi, tërheqëse dhe e dobishme, e gjykon publiku dhe pjesëmarrësit.

Në këtë shkrim, do të përpiqem të shtjelloj idenë dhe synimet e këtij aktiviteti.

Konferenca “Think Tech” do të zhvillohet në datën 5 Shkurt, pasi kjo periudhë ka një mungesë aktivitetesh, si dhe përmbledh studentët dhe admiruesit e fushës së teknologjisë. Aktiviteti ka në fokus të rinjtë dhe synimi kryesor është të transmetojë një mesazh të thjeshtë, i cili besoj është shumë aktual. E përmbledhur, thirrja e “Think Tech” është:“Mos u largoni nga Shqipëria, pasi edhe në mungesë të iniciativave të institucioneve përkatëse, vendi ynë sërish ofron mundësi të shumta në fushën e teknologjisë”.

Struktura e “Think Tech” është e ndarë në dy pjesë kryesore:

E para, lidhet me sipërmarrjet vendase dhe të huaja. Bizneset vendase, të cilat luajnë rolin kryesor si promotorë të teknologjisë, do të ofrojnë risitë e tyre në fushën digjitale. Kjo shërben që të rinjtë të njihen me mundësitë e shumta dhe programet e ndryshme që kanë këto biznese apo korporata.

Nuk do të mungojnë as eksperienca e disa prej partnerëve dhe klientëve besnikë të Landmark, të cilët do të na rrëfejnë përvojat e tyre profesionale. Pjesë e konferencës do të jenë edhe diskutimet mbi mundësitë që Shqipëria ofron, arsyet pse partnerët tanë kanë zgjedhur Shqipërinë për software dhe web development, si dhe anët pozitive dhe negative të manaxhimit në distancë të një biznesi, duke përdorur modelin Outsource. Një tjetër prizëm do të jetë edhe ajo çka tregu ynë i punës ofron dhe sa konkurrojmë me korporatat ndërkombëtare. Ky kompeticion tregon sesa të aftë jemi realisht.

Pjesa e dytë e takimit fokusohet në studime, trajnime, këshilla dhe ndihmës që organizatat ndërkombëtare të cilat operojnë në tregun tonë, u ofrojnë të rinjve shqiptarë. Për shkak të mungesës së informacionit, si nga ana e të rinjve, edhe nga organizatat, kemi menduar t’i dedikojmë një pjesë të rëndësishme njohjes së programeve, nismave dhe inovacioneve që kompanitë e huaja servirin në tregun shqiptar.

Besoj se kjo ditë do të jetë e larmishme dhe këtë ua garanton edhe përvoja që Landmark Communications gëzon si një nga agjencitë më të mira në treg. Sigurisht, nuk do të mungojnë edhe surprizat e këndshme për pjesëmarrësit. Primare për ne është që të rinjtë të konsiderojnë mundësitë që Shqipëria ofron. Jam shumë pro zhvillimit profesional jashtë vendit, pasi fiton një eksperiencë e cila të shërben shumë, nisur edhe nga përvoja ime personale si student dhe punonjës në një nga vendet më të zhvilluara në botë, saktësisht në Holandë, por i qëndroj mendimit se kërkimi i një përvoje të re ndryshon shumë nga largimi masiv i cili po sulmon egërsisht vendin tonë.

Ndaj, është shumë e rëndësishme për mua si sipërmarrës dhe për Shqipërinë që të kemi të rinj të talentuar, të cilët kontribuojnë në vendin e tyre, në fushën e së ardhmes.

Erion Isufi

 CEO & Founder, Landmark Communication and Technologies

 CEO Co-Founder Móveo Albania Technology