30 May Mirë se vini në App(le) World 2019
Zhvillimet në teknologji ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të pothuaj çdo qytetari i cili posedon një smartphone. Ndikimet e fundit janë tashmë shumë të dukshme dhe të prekshme në aplikacionet e ndryshme ku mund të anëtarësohet çdokush, me ose pa pagesë. Si pasojë e rritjes së të ardhurave nga të ashtuquajturat “subscription-based apps” edhe politika dhe përqëndrimi i kompanisë Apple po ndryshon në këtë drejtim. Një pjesë e konsiderueshme e burimeve njerëzore të R&D (Research and Development) po merret pikërisht me zhvillimin e aplikacioneve të reja të cilat mund të sjellin më shumë anëtarësime, dhe si rrjedhojë edhe të ardhura për këtë kompani e cila ka hasur disa vështirësi në shitjet e telefonave gjatë muajve të fundit.
Në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropën Perëndimore një përdorues iPhone harxhon rreth 80 dollarë në vit për anëtarsim në aplikacione të ndryshme. Kjo shifër është dyfishuar nga 2017 në 2018, duke treguar një potencial të ri e të madh për kompaninë. Apple po shikon me shumë vëmendje diversifikimin e shërbimeve dhe produkteve, dhe duket sikur fokusi do kalojë në jo vetëm App Store subscriptions, por edhe Apple Music, Apple Pay, iCloud, App Store Search Ads, AppleCare etj. Si një nga kompanitë më inovative dhe lider në teknologji, Apple duket sikur është në rrugë të sigurt edhe në këtë zhvillim të fundit të sjelljes së konsumatorit.
Konsumatori ka treguar disa prirje dhe përqasje shumë interesante gjatë vitit që lamë pas. Lojërat e ndryshme zënë akoma vendin e parë dhe kryesor, me rreth 55% të të ardhurave të përgjithshme. Rritjen më të madhe, me afërsisht 80-90%, gjatë vitit të fundit e kanë treguar aplikacionet si: Entertainment, Lifestyle dhe Health & Fitness. Ky është një trend shumë pozitiv dhe shumë frymëzues për të gjithë ne, sepse kujdesi ndaj vetes dhe mjedisit është kujdesi ndaj së ardhmes. Të shpresojmë që këto aplikacione pozitive për mirëqënien e secilit dhe të ambientit ku jetojmë, të kenë një rritje më të madhe gjatë viteve të ardhshme.
Çfarë e bën një kompani si Apple ndryshe nga kompani të ngjashme paraardhëse të cilat kanë qenë dikur lider në fushën e teknologjisë?!
Së pari, fakti që kjo kompani e pranon kur ka nevojë për ndryshim dhe së dyti kur është e gatshme ta bëjë këtë ndryshim. Ndërsa, Nokia vetëm para 10 vitesh kishte 1 miliard përdorues, po po 1 miliard, dhe tani është vite dritë larg nga vendi i parë absolut që zotëronte në fushën e telefonisë celulare. E njëjta dukuri i ndodhi edhe Blackberry, gjithashtu lider, sidomos për sa i përkiste komunitetit të biznesit. Studentët e tanishëm zor se mund të kenë njohuri bazike se me cfarë merren këto kompani ish-titane në teknologji.
Teknologjia është sprint dhe maratonë në të njëjtën kohë dhe lojtarët që mund ta luajnë këtë lojë nuk janë shumë!
Erion Isufi
CEO/ Themelues
Landmark Communications and Technologies
Co-Founder Móveo Albania Technology