25 Jun “Soft skills” Si të jesh një profesionist i klasit A!
Pak kohë më parë isha para një auditori studentësh të degëve ICT dhe financë. Para se të shkoja të flisja, u mendova gjatë rreth temës për të cilën do të diskutoja. Më pas, vendosa që të fokusohesha te “Soft Skills” dhe rëndësia e tyre në çdo ambient pune. Vendosa pikërisht për këtë temë, sepse edhe vetë jam shumë i dhënë pas këtyre aftësive të ashtuquajtura “soft skills”.
Çdo gjë rreth jetës sonë, të paktën në ambientet e punës, vërtitet rreth kodimit dhe programimit. “Bootcamps” për moshat 5 vjeç e lartë, janë kudo tashmë, edhe në vendin tonë po zhvillohen me shpejtësi. Duket sikur bota do të shkojë rreth kodimit dhe ne të tjerët (jo programues dhe zhvillues), jemi jashtë loje. Realisht, kjo është deri diku e vërtetë, por gjithashtu qëndron edhe fakti se “soft skills” janë po aq, ndoshta edhe më të rëndësishme se “hard skills”. Për këtë temë mund të bëhen debate pa fund dhe njerëzit nuk do bien dakord shumë lehtë, ose do mbajnë pozicionet dhe mendimet e tyre.
Unë i qëndroj mendimit se “soft skills” janë po aq të rëndësishme sa edhe “hard skills”.
Çfarë janë konkretisht “soft skills”?
1. Komunikimi verbal dhe i shkruar midis kolegëve. Në Landmark, në këtë aspekt jemi shumë të fortë, duke ardhur nga pjesa e komunikimit dhe marketingut.
2. Bashkëpunimi (team-work) në një ekip ose kolektiv. Asgjë nuk arrihet vetëm, andaj puna në ekip është çelësi i suksesit të çdo sipërmarrje.
3. Dëshira dhe vullneti për të dëgjuar të tjerët dhe për të mësuar nga kolegët dhe ambienti i punës ku bëni pjesë. Askush nuk lind i gjithëditur dhe përvoja në punë është një dukuri ku çdokush mëson dhe rritet profesionalisht dhe personalisht.
4. Autokritika dhe njohja e vetvetes, përsa i përket kapaciteteve në punë. Çdokush duhet të dijë kur duhet të thotë “Po!” dhe “Jo!”. Nuk ka asgjë të keqe nëse nuk e di diçka dhe kërkon ndihmë ose informacion ekstra. Në Landmark, jemi të mendimit se më mirë 10 pyetje dhe e bëjmë siç duhet, sesa asnjë pyetje dhe e bëjmë gabim.
5. Thjeshtësia dhe modestia në ambientet e punës dhe vullneti për të ndihmuar çdo koleg apo mik i cili ka nevojë për ndihmën tonë. Krijimi i një ekosistemi ku çdo punonjës e ndjen veten midis miqsh dhe është i mirëkuptuar janë dy veti që na bëjnë të fortë dhe të pathyshëm, duke funksionuar si një ekip.
Sipas mendimit tim këto janë disa nga “soft skills” që ndihmojnë shumë çdo profesionist në fushën e tij, sidomos ata me profesione më teknike në IT. Personalisht, do të vazhdoj t’i mëshoj fort këtij parimi që e kam mësuar edhe unë dikur; loja në ekip dhe të qenurit pjesë e një skuadre të bën të shkosh me dëshirë në punë dhe ta konsiderosh punën jo si detyrim, por si një pasion gjithmonë në rritje.
Landmark është një ekip cili punon çdo ditë, zhvillohet çdo ditë, përshtatet çdo ditë dhe mëson nga gabimet e mëparshme, rrjedhimisht duke u përmirësuar për një rezultat të kënaqshëm për ne dhe tregun.
Erion Isufi
CEO/ Themelues
Landmark Communications and Technologies
Co-Founder Móveo Albania Technology