11 May Nomofobia – Të qëndruar larg telefonit
Revolucioni teknologjik ka ndryshuar shumë aspekte në jetën e përditshme, në punë, në familje, në shoqëri dhe kudo. Terma dhe folje të reja janë futur në fjalor dhe tashmë janë pjesë normale e jetës së përditshme. Google dhe Sms janë vetëm dy shembuj shumë karakteristikë dhe jam i sigurt se pak njerëz e dinë domethënien e termit sms, që nga anglishtja (short message service), do të thotë shërbimi i mesazheve të shkurtra.
Një tjetër dukuri interesante është se Google dhe Sms janë njëkohësisht emra dhe folje. Tani le të bëjmë një eksperiment, kujtoni veten kur jeni pa celuar, e di që kjo gjë ju shkakton një lloj ankthi, pikërisht kjo situatë në të cilën jemi gjendur të gjithë, është pagëzuar me një term të ri “Nomofobia”!
Nomofobia, është një dukuri frike ndaj mungesës së telefonit celular, dhe sipas studimeve të bëra, kjo dukuri tashmë është e përhapur në qindra milionë banorë të planetit Tokë. Ajo nuk njeh kufij kombëtarë dhe prek më së shumti moshat e reja, sidomos adoleshentët. Këtyre personave u shfaqen shenja ankthi, djersë të ftohta, por tek e fundit ne të gjithë na kap një ndjenjë pasigurie kur jemi në të tilla pozita.
Sipas një studimi të kryer nga Adam Alter, profesor marketing-u, filozof dhe autor i disa botimeve, është dalë në disa përfundime shumë interesante sa i përket Nomofobisë, sidomos te moshat e adoleshencës. Profesor Alter ndërtoi një pyetësor me pyetjen:
Nëse do ishit para një situate jo të këndshme, ku duhet të zgjidhni midis thyerjes së telefonit ose thyrjes së kockave në dorën tuaj, cilën do të zgjidhnit?
Për moshën më të madhe përgjigja ishte shumë e thjeshtë, normalisht që të thyhej telefoni dhe jo dora. Çuditërisht, për pjesën më të madhe të adoleshentëve, pothuaj gjysma e tyre ishte gati që t’i thyheshin kockat e dorës, sepse telefoni dhe të qenit “mobile”, pra të lidhur me rrjetin në mënyrë të lëvizshme, ishte më e rëndësihme se dora. Telefoni ishte porta për në botën sociale, dhe mungesa e kësaj të fundit ishte e paimagjinueshme për shumë prej tyre, dhe si pasojë ishin më gati të sakrifikonin kockat e dorës, sesa të ishin jo aktiv në rrjetet sociale.
Natyrisht, kjo është një dukuri shumë negative. Njerëzit janë qenie sociale dhe interaktiviteti me të tjerët është ajo që na bën ata që jemi. Shumë po i kthejnë shpinën kontaktit me njerëzit, dhe kjo dukuri është shumë problematike për fëmijët, sepse kontakti njerëzor është pikërisht në këtë fushë, ku ata zhvillojnë kompetencat e të qenit krijesa shoqërore.
Të gjithë biem dakord se përdorimi i tepruar i teknologjisë është i dëmshëm dhe problematik. E sidomos kur fjala vjen tek të rinjtë, një brez i rritur në epokën e teknologjisë, mungesa e së cilët perceptohet si fatalitet. Por, mbase ajo që kemi harruar t’ju shpjegojmë të rinjve është kontakti human, i cili zhvillon kompentenca që do t’ju shërbejnë gjatë gjithë jetës.
Njerëzit janë qenie sociale dhe si të tillë, aktiviteti njerëzor “sy më sy” është thelbësor për jetën e tyre.